Një sulm me armë ka ndodhur në Texas, SHBA ku 3 persona së bashku me autorin kanë mbetur të vdekur dhe 14 të plagosur.
Ngjarja ndodhi në West 6th Street rreth orës 01:00 me orën lokale, në lagjen Austin, ndërsa baret po mbylleshin. Raportohet se policia iu përgjigj të shtënave në një bar të njohur dhe e qëlloi për vdekje të dyshuarin. Zyrtarët njoftuan se, tre nga të plagosurit që ndodhen në spital janë në gjendje kritike.
Sipas autoriteteve, policia mori një telefonatë për një person të armatosur që kishte hapur zjarr në ambientet e “Buford's Backyard Beer Garden”, në kryqëzimin e rrugëve West Sixth dhe Rio Grande, në qendër të qytetit.
Drejtoresha e Policisë së Austin, Lisa Davis, deklaroi se oficerët ndërhynë menjëherë pas raportimit të incidentit.
“Oficerët kaluan menjëherë nga East Sixth në West Sixth Street dhe u përballën me individin e armatosur. Tre nga oficerët tanë iu kundërpërgjigjën zjarrit, duke vrarë të dyshuarin”, tha Davis gjatë një konference për shtyp të dielën në mëngjes.
Zyrtarët konfirmuan se hetimet janë në vijim dhe se vendngjarja do të kërkojë disa orë për t’u zbardhur. “Ky është një incident tragjik”, u shpreh Davis, duke shtuar se në hetim janë përfshirë edhe partnerë federalë.
Divizioni i FBI-së në San Antonio, që mbulon zonën e Austin, konfirmoi për CNN përfshirjen në hetim, pa dhënë detaje të tjera. Sipas medias lokale KVUE, pjesë e hetimeve është bërë edhe Task Forca e Përbashkët Kundër Terrorizmit e FBI-së, bazuar në provat paraprake të mbledhura në vendngjarje.
Edhe kryebashkiaku i Austin, Kirk Watson, reagoi gjatë konferencës për shtyp, duke shprehur solidaritet me viktimat.
“Zemrat tona janë me njerëzit që janë viktima të kësaj tragjedie. Dua të falënderoj oficerët dhe zyrtarët e sigurisë publike që mbërritën me shpejtësi në vendngjarje. Ata padyshim shpëtuan jetë”, deklaroi ai.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur motivin e sulmit apo identitetin e autorit, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Lini një Përgjigje