TAGS-AT E JAVËS

Editorial21 Gusht 2023, 09:10

A mund ta çojë Edi Rama vendin në zgjedhje të parakohshme?

Shkruar nga Pamfleti

 

A mund ta çojë Edi Rama vendin në zgjedhje të parakohshme?
Edi Rama

Largimi i Edi Ramës, sipas të gjitha gjasave, do të bëhet duke përdorur siç ndodh në politikë; edhe shkopin edhe karrotën. Pasi përdorimi vetëm i shkopit mund të rrisë tensionin e të prishë stabilitetin, çka për Perëndimin është shumë i rëndësishëm...

Prej ditësh, njerëz afër Edi Ramës në media, kanë dalë me tezën se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme që në vjeshtë.

Sipas tyre, nxitimi i SPAK me dosjet qeveritare mund të çojë në vendimin që të kemi një ndërprerje të parlamentit aktual. E këtë, po njerëzit e Ramës, e shpjegojnë me Kongresin e PS-së, që sipas tyre përfaqëson një sintomë paralajmërimi për zgjedhje të reja.

Vetë elabourimi i kësaj teze nga një grup që është në qerthullin e përgatitjes së opinionit në mënyrë të kontrolluar përbën vërtetë sintomë, se Edi Rama e ka hedhur në publik këtë tezë. Po në praktikë është më shumë një tymues sesa një mundësi reale.

E vetmja mundësi reale që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme është që Edi Rama të japë dorëheqjen si kryeministër, të shkarkohet nga Parlamenti qeveria e tij me anën e një mocion mosbesimi, dhe Kuvendi të mos jetë në gjendje të votojë një qeveri tjetër deri në zgjedhje.

Ekziston realisht edhe një mundësi tjetër, e cila është nëse SPAK shkon deri lart tek zyra e kryeministrit, e ky i fundit i tronditur nga situata, e për të mos marrë të gjithë agresionin e mundshëm ndër vete pa u përgjigjur të japë dorëheqjen.

Ky variant është i mundshëm, po duhet pasur parasysh historiku i Edi Ramës, i cili e ka çuar për 10 vjet vendin në zgrip të krizave, vetëm e vetëm të mos dorëhiqet.

Në çdo vend të botës, apo edhe në Ballkan, si në rastin e Zoran Zaevit për shembull, kemi parë që kryeministri është larguar kur ka pasur një tension të madh, e kështu është krijuar një mundësi për reflektuar dhe qetësuar.

Rama, ka arritur deri aty sa e ka çuar vendin në kulmin e një përplasje civile dhe impasi institucional, duke pranuar edhe gjysmën e qeverisë nga opozita, por pa ikur vetë.

Edi Rama, ka refuzuar recetën e njohur në disa vende, si Greqi, Maqedoni etj, që kur vendi shkon në zgjedhje, zgjidhet një qeveri teknike institucionale.

Edi Rama, u ka thënë policëve në fushatë që pasdite jeni patronazhistë, çka është një shkelje kushtetute e ligji, pasi policia është e depolitizuar, jo vetëm e departizuar.

Logjikisht, kreu i PS-së, nuk i ka bërë kot këto lëvizje, pasi e di se ekuilibri në Shqipëri, që është 2-3 deputetë, ose edhe 4, merret pikërisht nga influenca e pushtetit. Rama, vetë as nuk ka për tu larguar e as të pranojë një qeveri teknike apo institucionale, për t’i hapur rrugë zgjidhjeve.

Por duket se situata është pak më ndryshe këtë herë.

Janë ndërkombëtarët që po luajnë një skenar, ku do ta detyrojnë Ramën të largohet, siç e kemi thënë, së bashku me Vuçiç. E shkrimi i The Times dje për “Al Kaponen” e Ballkanit nuk ishte aspak rastësi.

Largimi i Ramës, sipas gjasave do të bëhet duke përdorur siç ndodh në politikë; edhe shkopin edhe karrotën. Pasi përdorimi vetëm i shkopit mund të rrisë tensionin e të prishë stabilitetin, çka për Perëndimin është shumë i rëndësishëm.

Ka gjasa që SPAK, mbi të cilin nuk mund të mohohet ndikimi i Edi Ramës, madje i rëndësishëm, të shkojë deri afër, por jo në zyrën e tij. E në këtë skemë, ai të hapë rrugë për një zgjidhje pa atë në qeveri. Por që vendi të shkojë për 45 ditë në zgjedhje. Duke insistuar që në krye të qeverisë dhe ministër i brendshëm të jetë një delfin i tij. Nuk është rastësi vendosja e Taulant Ballës, të cilin mund ta ketë si kartë edhe në një mundësi qeverie kujdestare.

Por këtu nuk duhet të bjerë në grackë as opozita dhe as ndërkombëtarët.

Shqipëria nuk mund të shkojë në zgjedhje me këtë status’quo.

Së pari, duhet rritur korpusi elektoral që të votojnë të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë. Më pas të depolitizohet administrata zgjedhore, ndoshta duke i kërkuar BE-së ose OSBE të administrojë zgjedhjet, deri në një moment të dytë. E ka bërë disa herë në Ballkan; si në Kosovë, Bosnjë, por edhe në Maqedoninë e Veriut.

Dhe e gjitha kjo kërkon një periudhë më shumë se një vjeçare. Kështu s’ka përse ngutemi për zgjedhje të parakohshme. Mund ta shfrytëzojë Rama këtë për të fituar terren, ndoshta edhe me lajmin e zbulimit të naftës? Edhe?

Nëse një opozitë nuk arrin të fitojë mbi një kryeministër 10 vjet në detyrë, ku çdo kontratë publike i është konsideruar vepër e korruptuar, atëherë të hapë rrugë, ose të lërë Ramën të qeverisë se e duan njerëzit. Por pikë së pari, opozita duhet t’i mundësojë shqiptarëve të votojnë. E jashtë janë më shumë se gjysma e këtij korpusi elektoral. Parashikimet e bëra nga SHBA e BE janë se pikërisht diaspora do të sjellë revolucionin, ndaj është terrorizuar edhe Rama, por edhe dy ortakët e tij në krahun tjetër: Sali Berisha e Ilir Meta. / Pamfleti

edi rama shqipëria zgjedhje të parakohshme

Lini një Përgjigje

Editorial