
Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i 28-vjeçarit Aleksandër Matoja, i ndaluar në zonën e Alliasit në kuadër të operacionit policor “Black Market”.
Sipas burimeve hetimore, armët e zjarrit që u sekuestruan në makinën e Matojës kishin ardhur nga Turqia dhe ishin destinuar për t’u shitur në Tiranë kundrejt shumës 3500 euro secila.
Sipas “A2 CNN”, dyshohet se blerësit ishin anëtarë të një grupi kriminal aktiv në zonën e Freskut, të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.
Aleksandër Matoja rezulton emër i njohur për Policinë e Shtetit. Ai ka qenë më herët i arrestuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, ndërsa tashmë akuzohet se ka kaluar në tregtinë e paligjshme të armëve të zjarrit.
Hetimet kanë nisur për të zbuluar rrjetin e plotë të furnizimit dhe destinacionin përfundimtar të armëve, ndërsa pista kryesore mbetet përfshirja e grupeve kriminale që operojnë në kryeqytet.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Black market”. Sekuestrohen 2 pistoleta.
Arrestohet në Allias, një 28-vjeçar, banues në Shkodër, që dyshohet se do t’ua shiste armët e zjarrit, shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.
I arrestuari, shtetas me precedent penal, si pjesëtar i një grupi kriminal në Shkodër.
Në vijim të kontrolleve dhe punës intensive operative të Policisë së Tiranës, me fokus kapjen e shtetasve që lëvizin të armatosur dhe për pasojë, janë rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin “Black market”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Shkodër, me precedent për prodhim/shitje narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Nga kontrolli në automjetin me të cilin ai lëvizte në Allias, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do t’ua shiste shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje