TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Qershor 2026, 09:01

Nga plagosja te trafiku i drogës, goditet grupi kriminal në Vlorë; sekuestrohen armë dhe municione

Shkruar nga Pamfleti
Nga plagosja te trafiku i drogës, goditet grupi kriminal në
Pamje nga arrestimi

Në pranga ranë Florian Shala alias Florian Alliaj, Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj, Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula, Miço Beqaraj, Turi Aligjoni dhe Dritan Çelaj.

Një grupi kriminal i dyshuar për përfshirje në krime kundër personit dhe trafik narkotikësh, është goditur nga një operacion i policisë së Vlorës.

Gjatë aksionit janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre një i kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet italiane dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim në Shqipëri.

Sipas burimeve zyrtare, ndërhyrja erdhi pas informacioneve se persona me precedentë kriminalë lëviznin të armatosur dhe përdornin automjete të blinduara.

Në pranga ranë Florian Shala alias Florian Alliaj, Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj, Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula, Miço Beqaraj, Turi Aligjoni dhe Dritan Çelaj.

Mes të arrestuarve është edhe Aleksandër Dula, i cili rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit në Lecce të Italisë me 6 vite e 8 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Në të njëjtin ambient u lokalizuan dhe u arrestuan edhe Turi Aligjoni, 55 vjeç, dhe Dritan Çelaj, 48 vjeç. Të dy ishin në kërkim kombëtar. Aligjoni dyshohet si autor i plagosjes me armë zjarri të një 26-vjeçari në Vlorë më 7 qershor.

Sipas policisë, dy të kërkuarit akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë operacionit u sekuestruan katër pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, sasi municioni luftarak, shtatë telefona celularë, 1.850 euro dhe tre automjete, dy prej të cilave me targa të huaja. Njëri nga mjetet rezultoi i blinduar.

Nga hetimet paraprake ka dalë se automjeti tip “BMW X5”, i sekuestruar gjatë aksionit, dyshohet se është përdorur nga Turi Aligjoni për t’u larguar nga vendngjarja pas plagosjes së 26-vjeçarit F.L., ngjarje e ndodhur në Vlorë dy ditë më parë.

"Goditet një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore (drejtuesi dhe anëtarët e grupit).

Grupi, me aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve.
Kapet dhe autori i plagosjes me armë zjarri, të ndodhur 2 ditë më parë, në Vlorë.

Vihen në pranga 6 shtetas, nga të cilët 2 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.
Sekuestrohen 4 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, celularë dhe një shumë parash.

Në vijim të veprimeve intensive për goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se disa shtetas lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara dhe ndër ta ishte dhe autori i plagosjes së rëndë me dashje, të ndodhur më datë 07.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Grupi”.

Si rezultat, në një lokal në fshatin Vranisht, gjatë operacionit u godit një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore që vepronte në qytetet e Vlorës dhe Fierit. Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Sh.(A.), 52 vjeç, N. D.(Q.), 50 vjeç, M. B., 35 vjeç dhe A. D. alias A. Th. alias I. D., 51 vjeç, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Italia, pasi Gjykata e Apelit Lecce, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike" dhe "Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, gjatë operacionit po në këtë lokal, në të njëjtën tavolinë, u kapën dhe shtetasit T. A., 55 vjeç (i dyshuar autor i plagosjes së ndodhur më datë 07.06.2026) dhe D. Ç., 48 vjeç, të shpallur në kërkim kombëtar, të dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete (2 prej tyre, me targa të huaja dhe njëri prej tyre, i blinduar).

Nga hetimet rezultoi se njëri nga automjetet e sekuestruara, tip “BMW X5”, ishte përdorur nga shtetasi T. A., për t'u larguar nga vendi i ngjarjes, pas plagosjes me armë zjarri, të shtetasit F. L., 26 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 07.06.2026, në Vlorë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.

goditet grupi kriminal ne vlore

Lini një Përgjigje