Politike25 Maj 2024, 18:04

A po kthehet Rama në një diktator si Niyazov-i i Turkmenistanit?!

Shkruar nga Pamfleti
A po kthehet Rama në një diktator si Niyazov-i i Turkmenistanit?!
Rama dhe busti i Saparmurat Niyazov

Aq i fuqishëm u ndje ai dhe aq shumë i hodhi trutë e gomarit popullit të tij, sa ju vendosi muajve të vitit emrat e familjarëve të vet. Shikoni si përsëritet rasti me një kryeministër që ka 12 vite në pushtet...

Kryeministri Edi Rama ka filluar të bëhet njësoj si Saparmurat Niyazov, lideri i famshëm i Trukmenistanit.

Deklarata u bë nga gazetari Ferdinand Dervishi, i cili ka treguar se si Rama, njësoj si Niyazov po u hedh qytetarëve “trutë e gomarit”. Ky i fundit ka arritur deri aty sa ndërroi emrat e muajve me ata të familjarëve të tij. Ndërsa sipas Dervishit, elektorati socialist bën të njëjtën gjë që bën Rama.

Ai mori si shembull rezultatet e Barometrit në Euronews, ku pjesa dërrmuese e socialistëve vlerësojnë SPAK. Sipas tij, rezultatet janë identike me ato që thotë lideri i tyre, pra Edi Rama.

Mbështetja e qeverisë ndaj SPAK është e gënjeshtërt, është për përfitim të liderit. Me një fjalë unë shoh se në elektorat reflektohet dëshira e liderit politik. Kemi opozitën 60 për qind që nuk e pëlqejnë, kemi elektoratin e PS që në të njëjtat shifra e pëlqejnë dhe e mbështesin. Dhe fakti që në elektorat reflektohet dëshira e dikujt tjetër na bën ne një popull të mjerë. Ne jemi popull aq i mjerë sa lideri ynë po na thotë gjëra të çuditshme. Dua të bëj një krahasim në rast botëror. Është një personazh, ka qenë drejtues i Trukmenistanit, Saparmurat Niyazov.

Ka qenë 21 vite në pushtet, 1985-2006. Aq i fuqishëm u ndje ai dhe aq shumë i hodhi trutë e gomarit popullit të tij, sa ju vendosi muajve të vitit emrat e familjarëve të vet. Shikoni si përsëritet rasti me një kryeministër që ka 12 vite në pushtet. Ai ka deformuar shprehjen frazeologjike të njohur botërore: “Peshku qelbet nga koka”. Jo thotë, ai peshku qelbet nga bishti. Janë ata që hanë dardha mbrapa meje. E shikoni se çfarë populli mendon se ka lideri ynë dhe e ka vërtetë. Ky është problemi i madh”, tha ai.  

Kush është Saparmurat Atayevich Niyazov? Ai ishte një diktator deri në vdekjen e tij. Ai ishte sekretari i Parë i Partisë Komuniste Turkmene nga viti 1985 deri më 1991. Ai vazhdoi të sundojë Turkmenistanin për 15 vjet pas pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik më 1991.

Mediat turkmene i referoheshin atij duke përdorur titullin, “Shkëlqesia e Tij”. Ai promovoi një kult të personalitetit rreth vetes dhe imponoi ekscentricitetet e tij personale në vend, të tilla si riemërtimi i muajve dhe ditëve sipas referencave të autobiografisë së tij 'Ruhnama'.

Ai e bëri të detyrueshme leximin e Ruhnama-s në shkolla, universitete dhe organizata qeveritare; punonjësit e rinj të qeverisë u testuan në intervistat e punës dhe libri ishte pjesë e testit të shoferit në Turkmenistan. Në vitin 2005, ai mbylli të gjitha bibliotekat dhe spitalet rurale jashtë kryeqytetit Ashgabat, në një vend ku në atë kohë më shumë se gjysma e popullsisë jetonte në zonat rurale, duke deklaruar dikur se: "Nëse njerëzit janë të sëmurë, ata mund të shkojnë në Ashgabat”. /Pamfleti