Raportimi i parë në Grupin Parlamentar vjen në kulmin e reformës fiskale dhe debatit për zhvendosjen e zyrave drejt Tiranës
Kryeministri Edi Rama pritet të drejtojë sot një mbledhje të zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS-së, në vijim të disa takimeve, që kanë pasuar mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku kreu socialist paraqiti ndryshimet në grupet e punës dhe drejtuesve politikë sipas qarqeve.
Ajo që tërheq vëmendjen nga mbledhja e sotme është një raportim i drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli. Kjo është hera e parë që një drejtues Kadastre, që varet drejtpërsëdrejti nga Kryeministri do të raportojë në Grupin Parlamentar të një force politike, në rastin konkret të socialistëve.
Raportimi i Goxhobellit vjen në një kohë kur nga 10 shkurti 2026, në Shqipëri ka nisur të aplikohet një sistem i ri për taksën mbi ndërtesën, të administruar përmes një Kadastre Fiskale Kombëtare online. Ky sistem, bazuar në një vendim qeverie, do të unifikojë të dhënat për pronarët, sipërfaqet dhe vlerat e taksueshme për rreth 2.5 milionë pasuri të paluajtshme, duke synuar një llogaritje më të saktë dhe automatike të detyrimeve.
Por njëherazi ky raportim vjen në një kohë kur po nga Kryeministri nuk kanë munguar kritikat në raport me mënyrën se si operon Kadastra në disa nga qarqet e vendit. Pak muaj më parë, Kreu i Qeverisë vendosi që Kadastrën e Vlorës ta zhvendosë në Tiranë, një eksperiment ky që varësisht nga mënyra se si do të paraqiten rezultatet (sukses ose dështim) mund të përcaktojë se çfarë do të ndodhë me zyrat e Kadastrave në qarqet e tjera të vendit.
Një opsion është që ashtu sikundër është vepruar me Vlorën, një qark ku drejtorët e Kadastrës kanë dhënë dorëheqjen njëri pas tjetrit, duke qëndruar në pozicionin drejtuar për më pak se 4 muaj, të përdoret edhe për qarqet e tjera të vendit. Nuk dihet nëse nga raportimi i sotëm, Kryeministri mund të sinjalizojë ose jo një vendim të tillë, por duket se Qeveria ka përgatitur terrenin që përmes sistemit të ri online dhe digjitalizimit total, të ‘shkrijë’ zyrat e Kadastrave në qarqe, duke i kaluar ato në Tiranë.
“Falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi”, thuhej në një sqarim të Kadastrës, në fund të muajit janar, kur nisi edhe zhvendosja e degës së Vlorës drejt Tiranës.
Nuk dihet se çfarë mund të ndodhë me Kadastrën pas mbledhjes së sotme, por çdo vendim që Kryeministri mund të bëjë publik, do të "shitet" si një reformë e madhe që po ndodh. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje