Politike19 Mars 2023, 08:29

Marrëveshja mes Kurtit dhe Vuçiç, Rama: Shpresoj të mos jetë një tjetër dredhi ballkanike!

Shkruar nga Pamfleti
Marrëveshja mes Kurtit dhe Vuçiç, Rama: Shpresoj të mos
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka komentuar takimin maratonë të mbajtur në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Rama ka shfaqur nota pesimizmi, teksa u shpreh se shpreson që të mos jetë dredhia e radhës.

Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër dredhi ballkanike! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit. Dhe le t’i urojmë sinqerisht katër protagonistët e tryezës së sotme të Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja e nënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”, ka shkruar Rama në Twitter.

Ditën e djeshme Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian. Ndërmjetësues të takimit ishin diplomatët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit ishte i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.

edi rama marrëveshja mes kurtit dhe vuçiç