
Trabzonspori pritet të ndërmarrë hapat për të blerë përfundimisht kartonin e Ernest Muçit. Mesfushori me tipare sulmuese ka bindur drejtuesit e klubit turk me paraqitjet e tij, ndërsa trajneri Fatih Teke ka shprehur publikisht besimin e madh që ka te lojtari i Kombëtares shqiptare.
Në një deklaratë për mediat, Teke tregoi se klubi ka diskutuar për Muçin që në momentin e marrjes së vendimit për ta pasur në skuadër, duke vlerësuar qasjen e tij profesionale në stërvitje.
“Ne kemi pasur një bisedë në momentin e marrjes së vendimit për Ernest Muçin. Deri tani në stërvitje ai është shumë profesionist dhe përpiqet të dëgjojë sa më shumë që mundet. Ndonjëherë, për shkak të rrethanave, nuk mund ta aktivizojmë në pozicionin që dëshirojmë. Madje ka pasur raste që e kemi përdorur edhe në rolin e numrit 6”, u shpreh trajneri i Trabzonsporit.
Sipas Tekes, mesfushori shqiptar ka ende potencial për të dhënë më shumë në fushë. Ai theksoi se të dhënat fizike dhe teknike të Muçit janë në nivel elitar, duke i krahasuar me standardet e ligave më të forta evropiane.
“Muçi ka edhe më shumë për të dhënë. Të gjitha të dhënat e tij janë në nivel elitar, po flas për liga të mëdha si Premier Liga. Ai duhet të ndikojë më shumë në rezultatin e ndeshjeve. Do të bëhet edhe më i fortë. Ka karakterin për të luajtur në çdo ekip”, shtoi Teke.
Në aspektin statistikor, 24-vjeçari po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës. Ai ka realizuar 13 gola dhe ka dhënë 8 asistime në 26 paraqitje me Trabzonsporin.
Aktualisht i huazuar nga Beshiktashi, Ernest Muçi duket se ka gjetur formën e tij më të mirë, duke rritur edhe interesin e klubit për ta transferuar përfundimisht në radhët e skuadrës turke.
Lini një Përgjigje