Sport 4 Maj 2023, 17:41

Mbajti diktofon të fshehur në ndeshjen ndaj Monzës, presidenti i shoqatës së trajnerëve në Itali sulmon Murinjon: E papranueshme!

Shkruar nga Pamfleti

Mbajti diktofon të fshehur në ndeshjen ndaj Monzës, presidenti i

Zhoze Murinjo ka çuditur të gjithë pas ndeshjes së mbrëmshme ndaj Monzës, kur deklaroi se kishte mbajtur mikrofon të fshehtë gjatë takimit për t’u mbrojtur nga gjyqtarët, pasi kishte bindjen se do e dënonin që të mungonte në duelin ndaj Interit. Tekniku i verdhekuqve kësisoj ka hapur një polemikë të pazakontë në Itali dhe nuk duket se ka shumë mbështetës në këtë aspekt.

Unë nuk jam budalla, shkova në ndeshje me një diktofon dhe regjistrova gjithçka që nga momenti që dola nga dhoma e zhveshjes deri në kthim. Më duhej të mbroja veten“, tha fituesi i trofeve të shumta, i cili shpesh futet në duele verbale me gjyqtarët dhe herë-herë ndëshkohet për këtë. Për t’u mbrojtur nga kjo ai tani ka dashur të regjistrojë dialogë potencialisht të diskutueshëm me arbitrat me një objekt të fshehur nën këmishë.

Edhe vetë presidenti i shoqatës së trajnerëve në Itali, Renzo Ulivieri, e ka cilësuar këtë veprim të Murinjos si të papranueshëm.

Trajnerët italianë janë në mbështetje të gjyqtarëve, pa asnjë lloj diskutimi, përkundrazi, me vjen të them edhe pa Murinjon. Por këtu nuk ka asgjë për t’u tallur!

Deklaratat e Murinjos janë të rënda dhe të papranueshme, në veçanti që pohon se është ulur në pankinë me një mikrofon për të regjistruar bisedat mes tij dhe grupit të gjyqtarëve, duke justifikuar një zgjedhje që ai e përcakton mbrojtëse, por që në të vërtetë edhe si veprim minon themelet e të gjithë sistemit. Një lloj ‘të gjithë kundër të gjithëve’. Ndershmëria dhe garancia për çdo anëtar duhet të sigurohen nga organizmat përkatës”, tha Ulivieri, i cili në mënyrë të papritur, edhe pse duhet të mbështeste trajnerët, ka bërë të kundërtën, duke i dalë në mbrojtje gjyqtarëve që Murinjo sulmon duke i vlerësuar si “të orientuar” në vendimet ndaj tij apo Romës.

Sipas ANSA, Prokurori Federal i FIGC ka nisur tani një hetim që mund të çojë në një pezullim për portugezin, ndërsa romanët mund të shtyhen për “përgjegjësi objektive”. Trajneri i Monzës, Rafaele Paladino mbrojti arbitrin, duke fajësuar Murinjon dhe rezervat e Romës, duke thënë se protestat e tyre të përsëritura kanë qenë të egra.

Nëse Murinjo pezullohet, ai do të humbasë ndeshjen e së shtunës në shtëpi kundër ish-klubit të tij, Inter. Është një ndeshje kyçe në garën për një vend në Ligën e Kampionëve, pasi zikaltërit aktualisht janë në vendin e katërt dhe janë vetëm dy pikë mbi Romën, Atalantën dhe Milanin.

zhoze murinjo trajneri i romës renzo ulivieri presidenti i shoqatës së trajnerëve