Pas Champions League, radha ishte e Ligës së Europës për të mbyllur ndeshjet e para gjysmëfinale. Dueli i gjithi anglez mes Notingam Forest dhe Aston Vilës përfundoi me fitoren e vendasve me rezultatin minimal 1-0. Goli i vetëm për ekipin që po lufton për mbijetesë në Premier Ligë u realizua nga Kris Ud në minutën e 71.
Ndërkohë, sfida tjetër, ajo e luajtur në Portugali mes Bragës dhe Frajburgut është mbyllur me fitoren e Bragës me rezultatin 2-1. Të parët që kaluan në avantazh ishin gjermanët me golin e realizuar nga Vincenco Grifo në minutën e 16.
Portugezët reaguan në fundin e pjesës së parë me Rodrigo Zalazar, i cili barazoi shifrat në minutën e 45+2 nga pika e bardhë e penalltisë.
Kur mendohej se ndeshja do të përfundonte në paqe, Braga realizoi golin e përmbysjes me Mario Dorgeles në minutën e 90+2.
Dy ekipet që do të kualifikohen në finalen e Stambollit do të përcaktohen javën e ardhshme kur do të luhen edhe ndeshjet e kthimit.
Edhe Liga e Konferencës ka mbyllur ndeshjet e para gjysmëfinale. Rajo Vajekano ku aktivizohet edhe mbrojtësi shqiptar Ivan Balliu ka mposhtur minimalisht Strasburgun.
Goli i vetëm për ekipin spanjoll u realizua nga Aleksandër Zuravski në minutën e 54.
Në ndeshjen tjetër, Kristal Palas ka triumfuar me shifrat 1-3 në Ukrainë kundër Shaktarit vendas, duke vendosur njërën këmbë në finale. Ismaila Sarr zhbllokoi ndeshjen që në minutën e parë. Vendasit barazuan shifrat në minutën e 49 me Oleg Orçeretko.
Miqtë nuk u mjaftuan me kaq dhe gjetën edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës. Fillimisht ishte Daishi Kamada në minutën e 58, Jorgen Strand Larsen gjeti golin e qetësisë për ekipin anglez në minutën e 84.
Dy ekipet që do të kualifikohen në finalen e Lajpcigut do të përcaktohen javën e ardhshme kur do të luhen edhe ndeshjet e kthimit.
Lini një Përgjigje