
Kompania amerikane “GA Telesis”, përmes filialit të saj në Florida, ka depozituar në SPAK kallëzim penal ndaj ortakëve të “Air Albania” për shkelje kontrate, abuzim financiar dhe shfrytëzim të paligjshëm të dy avionëve A320, ndërsa hetimi pritet të përfshijë edhe drejtuesit e “Albcontrol”.
Ndërsa qeveria shqiptare është ortake me 10% në “Air Albania”, kompania është përfshirë në një skandal të ri financiar ndërkombëtar. Kompania amerikane “Gat Aircraft and Engine Leasing Limited”, pjesë e grupit “GA Telesis”, ka paditur në SPAK dhe në Gjykatën Britanike pronarët e “Air Albania” për mashtrim kontraktor, mosshlyerje detyrimesh dhe mbajtje peng të avionëve. Ndërkohë, kompania e lidhur me kryeministrin Rama po vijon të mos arkëtojë fitimet dhe të fshehë bilancet, ndërsa qeveria hesht.
Kompania “Air Albania”, e krijuar si simbol i bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë, është përfshirë në një hetim ndërkombëtar për mashtrim financiar dhe pengmbajtje të avionëve.
Burime të sigurta për “Pamfletin” konfirmojnë se kompania amerikane “Gat Aircraft and Engine Leasing Limited”, me seli në Florida, ka depozituar një kallëzim penal në SPAK kundër ortakëve të “Air Albania”, përfshirë Sinan Idrizin dhe dy ortakët turq të “Turkish Airlines”, Sinan Dilek dhe Sinan Isik.
Sipas dokumenteve të depozituara, amerikanët akuzojnë “Air Albania”-n për mosrespektim të kontratës së qirasë së dy avionëve pasagjerësh të tipit “A320-200”, të cilët janë përdorur në mënyrë të paligjshme edhe pas skadimit të marrëveshjes.
Avionët me numra regjistrimi “ZA-ASM 36-76” dhe “ZA-MMK 49-34”, të marrë me qira në vitin 2023, nuk janë paguar për periudhën janar–mars 2025, çka përbën shkelje të rëndë kontraktuale.
Pasi kompania amerikane njoftoi prishjen e kontratës dhe kërkoi kthimin e avionëve, Sinan Idrizi dhe ortaku i ri Sinan Isik jo vetëm që nuk i dorëzuan, por i mbajtën peng dhe vazhduan t’i shfrytëzojnë për fluturime tregtare, duke mos paguar as detyrimet në Euro-Control.
Më keq akoma, për të shmangur sekuestrimin, avionët janë parkuar në Aeroportin e Stambollit që prej 6 gushtit 2025, nën mbrojtjen e “Turkish Airlines”, e cila zotëron 49% të aksioneve të kompanisë shqiptare.
Në kallëzimin e saj, kompania amerikane ka përfshirë edhe një akt-padi civile dhe penale të regjistruar më 1 gusht 2025 në Gjykatën Britanike, ku kërkon dëmshpërblim për:
- Mashtrim kontraktual dhe shkelje të qëllimshme të detyrimeve financiare,
- Pengmbajtje të avionëve dhe shfrytëzim të tyre pa kontratë,
- Përdorim të logove dhe certifikatave të fluturimit në mënyrë të paligjshme nga “Air Albania”.
Burime pranë SPAK-ut pohojnë se kërkesa është regjistruar, por ende nuk është bërë publike, për shkak se hetimi përfshin dhe përfaqësues të “Albcontrol”, që është ortake me 10% në “Air Albania” në emër të shtetit shqiptar.
Nëse hetimi hapet, për herë të parë SPAK do të detyrohet të hetojë një kompani të lidhur drejtpërdrejt me qeverinë dhe kryeministrin Rama, i cili personalisht ka firmosur vendimin për krijimin e saj në vitin 2019.

Sipas burimeve të “Pamfletit”, “Air Albania” nuk ka dorëzuar asnjë bilanc financiar të plotë që prej fillimit të aktivitetit, nuk ka paguar tatim mbi fitimin, dhe nuk ka arkëtuar 10% të fitimeve që i takojnë shtetit si ortak.
Një pjesë e madhe e fluturimeve janë kryer për transport qeveritar dhe çarter personal të Edi Ramës, me avionin që kompania amerikane kërkon sot si pronë të vet.

Faktet përbëjnë një skandal të trefishtë: mashtrim ndaj një kompanie amerikane, abuzim me pronë të huaj dhe fshehje të fitimeve që i takojnë shtetit shqiptar.
Nëse SPAK nuk reagon, kjo do të jetë dëshmia përfundimtare se reforma në drejtësi nuk prek më qeverinë, por shërben për të mbrojtur interesat ekonomike të kryeministrit përmes kompanive që ai vetë i ka krijuar.
“Air Albania” po shndërrohet kështu në simbolin e korrupsionit të qeverisë Rama, një kompani që fluturon me flamurin shqiptar, por me borxhe të huaja, avionë të mbajtur peng dhe bilance të fshehura.
Tani që një kompani amerikane ka hapur dosje në SPAK dhe në gjykatat britanike, çështja nuk është më në dorën e propagandës: ose SPAK do të hetojë Ramën, ose do të pranojë publikisht se është nën urdhrat e tij./Pamfleti
Bravo ishalla ne burg Rama
Mesa duket, shërbimet sekrete Amerikane dhe të NATO-s ,kanë të dhëna që në rrugëtimet 'çartiste' të Edi Ramës me avionë të emërtuar me 'simbole patriotike' kanë lëvizur: kush e di se çfarë?