
Teksa Bektashi reklamon “Pyjet e Drilonit”, bashkia ka nisur punë për të ndërtuar shëtitoren pranë tij...
Qyteti i cili i ka shpëtuar prej vitesh betonizimit, është nën kërcënim serioz nga kullat dhe resortet. E kemi fjalën për Pogradecin. Një nga zonat më të gjelbëruara të tij, tani do të mbushet me pallate.
Ndonëse leja e ndërtimit nuk është miratuar ende, Fatmir Bektashi, po reklamon fort planin për të betonizuar Drilonin dhe madje po shet apartamente në ajër.
Në pjesën që lidh parkun e Drilonit me Tushemishtin do të ndërtohen nga kompania "Kontakt" plot 15 objekte, duke filluar nga 2 deri në 12 kate. Vetë kompania e Bektashit e ka bërë të ditur tashmë projektin dhe duket se një pjesë e madhe aty do të mbushet me beton.

Siç shihet edhe në foto, projekti përmban godina në formë gjatësore, të cilat janë të kateve nga më të ndryshmet: 2, 3, 4, 6, 9 e deri në 12 kate. Pra, godina më e lartë është 12 kate.

Banorët e zonës janë të shqetësuar. Projekti kërcënon të zhbëjë identitetin arkitektonik të Tushemishtit, i njohur për shtëpitë e ulëta karakteristike. Për më tepër, ndërtimet masive do të dominojnë pamjen natyrore, ndërsa objekti që ka marrë emrin "Pyjet e Drilonit", në fakt do të kthehet në betoniere.
Nga ana tjetër duket se një dorë po i jep edhe Ilir Xhakolli, kreu i bashkisë, bashkë me Edi Ramën. Në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, është miratuar për llogari të Bashkisë Pogradec, vendimi për shpronësimin e objekteve që preken nga projekti “Shëtitorja Drilon–Tushemisht”. Pra Bashkia do të nisë punën për ndërtimin e një shëtitoreje nga Driloni në Tushemisht.

Shumë mirë që bëhet një projekt i tillë, por pse vjen në një kohë kur do të ndërtojë Fatmir Bektashi, pasi ky projekt i jep një dorë të mirë në shitje kompanisë së tij. Duket sikur ka një koordinim në këtë pjesë.
Pjesa nga Driloni në Tushemisht ka qenë një gangrenë prej vitesh. Ilir Xhakolli dhe paraardhësit e tij nuk hodhën një makinë asfalt, por teksa Fatmir Bektashi reklamon projektin aty, krejt papritur nis dhe procesi për shëtitoren.
Në sfondin e këtij zhvillimi që ngjan me skenar të mirëmenduar, lind pyetja: A është kjo një aferë e re klienteliste, ku shteti përgatit terrenin për të favorizuar ndërtues të lidhur me politikën? Sepse fakti që ndërkohë që Bektashi reklamon kompleksin e tij luksoz, qeveria ndërhyn me shpronësime publike, lë pak vend për dyshim. Në vend të mbrohet një zonë turistike unike, duket se po i hapet rruga betonizimit dhe përfitimit të shpejtë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje