TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Prill 2026, 08:48

Si u bënë jofunksionale samitet e liderëve të BE-së

Shkruar nga Pamfleti
Si u bënë jofunksionale samitet e liderëve të BE-së
Ilustrim

A është Këshilli Evropian i papërshtatshëm për sfidat aktuale? Kritikat rriten ndërsa kërkohet reformim i mënyrës së vendimmarrjes

Sipas një analize të publikuar nga Politico, gjithnjë e më shumë pjesëmarrës në Këshillin Evropian po vënë në dyshim nëse ky institucion është ende i përshtatshëm për të përballuar kërkesat e rendit të ri global.

Kur u krijua Bashkimi Evropian në hijen e Luftës së Dytë Botërore, ai u konceptua për integrim ekonomik, jo për fuqi të fortë ushtarake. Siguria iu besua Shteteve të Bashkuara, ndërsa institucionet u ndërtuan mbi bazën e konsensusit. Por konteksti ndërkombëtar që e lindi këtë projekt nuk ekziston më.

Sot, në Bruksel dhe më gjerë, po rritet pakënaqësia për shpejtësinë dhe urgjencën me të cilën 27 liderët e BE-së, të mbledhur në Këshillin Evropian, përballen me sfidat dhe marrin vendime, sidomos në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme.

“Evropa sot ndodhet në një gjendje krize të përhershme dhe arkitektura e saj vendimmarrëse nuk është projektuar për këtë realitet,” deklaroi për Politico ish-kryeministri danez dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Ai shtoi se “nuk mund të presësh që Këshilli të bjerë dakord për një deklaratë ndërkohë që bota është në flakë.”

Në muajt e fundit, BE-ja ka dështuar disa herë të marrë qëndrime të unifikuara për çështje me rëndësi të madhe gjeopolitike: nga zhbllokimi i një pakete prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, te vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe kolonëve të dhunshëm në Bregun Perëndimor, si dhe reagimi ndaj konfliktit me Iranin.

Në samitin më të fundit të marsit, liderët kaluan orë të tëra duke debatuar detaje të skemës së lejeve të karbonit (ETS), ndërkohë që zhvillimet në Lindjen e Mesme po ndikonin drejtpërdrejt furnizimin energjetik të Evropës. Një zyrtar i BE-së, duke folur në kushte anonimiteti, e cilësoi këtë situatë si të papërshtatshme.

Një pjesë e konsiderueshme e agjendave të samiteve të tetorit, dhjetorit dhe marsit iu kushtua çështjeve të pambyllura nga takimet e mëparshme, përfshirë gatishmërinë mbrojtëse, financimin për Ukrainën dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Kritikat për ngadalësinë e vendimmarrjes janë bërë të zakonshme. Kryeministri holandez Rob Jetten deklaroi se qytetarëve nuk mund t’u shpjegohet pse BE-ja reagon kaq ngadalë ndaj çështjeve madhore. Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron pranoi në Davos se BE-ja “ndonjëherë është shumë e ngadaltë” dhe ka nevojë për reforma.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kritikoi kërkesën për unanimitet në vendimmarrjen për çështjet ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si burim “bllokimesh sistemike” dhe duke kërkuar heqjen e vetos kombëtare në politikën e jashtme.

Rasmussen argumenton se BE-ja duhet të largohet nga debatet e gjata dhe të krijojë struktura më të shpejta për t’iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë.

Megjithatë, natyra e BE-së mbetet e bazuar në konsensus ndërmjet shteteve anëtare. Në këtë strukturë, liderët mblidhen për të përcaktuar drejtimin politik dhe për të arritur marrëveshje përmes negociatave të gjata. Shumë vendime përgatiten paraprakisht nga diplomatët kombëtarë.

Disa zyrtarë pranojnë se efikasiteti mund të përmirësohet, por theksojnë se Këshilli Evropian mbetet forumi më i përshtatshëm dhe më legjitim për trajtimin e çështjeve kryesore. Profesori Steven Van Hecke thekson se nuk është e drejtë të vlerësohet ky institucion vetëm në bazë të reagimit ndaj krizave, pasi ai është krijuar për objektiva afatgjata.

Ish-kryeministri belg Alexander De Croo sjell si shembull reagimin e BE-së gjatë pandemisë COVID-19, duke theksuar se vendimmarrja dhe zbatimi i masave në atë periudhë ishin relativisht të shpejta dhe efektive.

Ai shton se, në një botë ku vendimet e shpejta të SHBA-së mund të shkaktojnë pasoja të mëdha, qasja më e kujdesshme e Evropës mund të jetë një avantazh. Edhe Macron e përshkroi BE-në si një partner të parashikueshëm dhe të besueshëm.

Megjithatë, realiteti global ka ndryshuar ndjeshëm në dekadën e fundit. Aleancat tradicionale janë dobësuar dhe krizat janë shtuar. Rasmussen thekson se mënyra aktuale e vendimmarrjes nuk është më e mjaftueshme.

“Kur merrja pjesë në Këshillin Evropian nga 2001 deri në 2009, bota ishte ndryshe. Rusia ishte pjesë e G8, SHBA ishte aleat i qartë dhe kishte më shumë hapësirë për diskutim. Ky realitet nuk ekziston më,” tha ai.

Ai propozon një rishpikje të thellë të kornizës së sigurisë së BE-së. Ndër idetë e diskutuara janë krijimi i një Këshilli Evropian të Sigurisë dhe forcimi i rolit të Komisionit Evropian.

Megjithatë, këto reforma ngrenë edhe shqetësime demokratike. Sipas analistit Gilles Pittoors, vendimmarrja me shumicë të cilësuar në politikën e jashtme mund të krijojë tensione mbi legjitimitetin demokratik. Ndërsa forcimi i Komisionit has rezistencë nga shtetet anëtare.

Në samitin e radhës pritet të mungojë kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili shpesh është konsideruar si pengesë për arritjen e konsensusit. Disa zyrtarë besojnë se kjo mund të lehtësojë vendimmarrjen.

Megjithatë, sfidat mbeten urgjente. Tensionet gjeopolitike, përfshirë situatën në Ngushticën e Hormuzit dhe krizën energjetike globale, kërkojnë reagime të shpejta.

Një zhvillim pozitiv është se Ukraina pritet të marrë më në fund kredinë prej 90 miliardë eurosh nga BE-ja, katër muaj pas marrëveshjes fillestare. Por vonesat e gjata kanë lënë gjurmë në perceptimin për efikasitetin e unionit.

Siç thekson Pittoors, përvoja e fundit tregon se Bashkimi Evropian mund të bllokohet lehtësisht në proceset e tij vendimmarrëse. /Përshtati Pamfleti/

 

be samite lufta

Lini një Përgjigje