Ju ftojmë të ndiqni zhvillimet kryesore nga kronika e zezë deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:
Apeli i Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi kërkesën e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja për lirimin nga qelia.
Ai akuzohet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për korrupsion zgjedhor, përkrahje të autorit të krimit dhe tregtim të sekretit shtetëror, në një dosje që prek lidhje mes politikës dhe grupeve kriminale.
Ndërkohë, në Fushë-Krujë policia zbuloi një arsenal të madh armësh në kuadër të operacionit “Tracking”. Në kërkim është shpallur 49-vjeçari Ylli Zalla, i dyshuar edhe për atentatin në Rinas ku mbeti i vrarë Gilmando Dani. U sekuestruan tritol, granata, C4, mijëra fishekë dhe lëndë narkotike.
Mario Çela, vëllai i Suel Çelës, përfundoi në spitalin e burgut për probleme shëndetësore dhe kërkoi zbutjen e masës së sigurisë. Ai akuzohet si drejtues i një grupi kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar kokaine.
Gjykata e Fierit sekuestroi pasuritë e biznesmenit Saimir Taullau, rival i hershëm i Aldo Bares.
Në Shkodër u zbulua një “shtëpi bari” e ndërtuar në tunel; u arrestuan dy persona dhe një punonjës i OSHEE-së.
Në Tiranë, një 42-vjeçar humbi jetën pasi dyshohet se u hodh nga ura në ''Unazën e Madhe''.
Jashtë vendit, tre shqiptarë po hetohen në Paris për trafik kokaine, ndërsa në Bari 26 persona do të dalin në gjyq për operacionin “Ura”, që zbuloi lidhje mes grupeve shqiptare dhe klaneve italiane.
Në Itali vijojnë hetimet për sulmin me eksploziv ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci, ku përmendet edhe emri i sipërmarrësit shqiptar Artur Shehu.
Në Turqi u arrestua gazetari i Deutsche Welle, Alican Uludag, për postime ndaj presidentit Erdogan.
Ndërsa në Britani, ish-Princi Andrew u mor në pyetje për dosjen “Epstein” dhe u lirua pas 12 orësh, ndërsa hetimet vijojnë.
Lini një Përgjigje