
Një megaoperacion policor është zhvilluar mbrëmjen e sotme në disa qytete të vendit. Sipas informacioneve në kuadër të këtij aksioni janë lëshuar 15 urdhër arreste si dhe janë zbardhur edhe 6 vrasje, të cilat ishin nën hetim.
Sipas informacioneve, zanafilla e megaoperacionit ka ardhur pasi policia e Lushnjës ka arrestuar disa ditë më parë Artan Tafanin, të riun e shpallur në kërkim si autor i grabitjes së një exchange në zonën e Astirit në Tiranë.
Nga rrëfimi i Tafanit, i cili është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë mësohet se janë zbardhur 6 vrasje, 2 në Greqi, në Tiranë, Elbasan dhe Berat, për llogari të grupit të Laert Haxhiut. Mësohet se janë firmosur 15 urdhër-arreste.
Operacioni thuhet se ka vijuar që prej mesditës së sotme dhe se shtrirë në disa qytete të vendit. Në mesin e personave që ka përmendur Tafani si autorë vrasjesh janë edhe emra të njohur të botës së krimit.
Sakaq mësohet se urdhër arrestet janë lëshuar nga Prokuroria e Elbasanit, ndërsa më pas dosja do i kalojë SPAK-ut për procedura të tjera hetimore.
Që prej identifikimit policia ka pasur dyshime të përfshirjes së Tafanit në aktivitet të theksuar kriminal, pjesë e një grupi me bazë në disa qytete.
Sipas burimeve ai është mbajtur në vëzhgim për disa kohë dhe më pas është ndërhyrë për ta arrestuar në Lushnje, aty ku edhe banonte. Prangosja e tij është mbajtur sekret nga policia për shkak të hetimeve dhe rrëfimeve që po bënte për ngjarjet kriminale deri në momentin që do të faktoheshin thëniet e tij. Këtë të mërkurë i është komunikuar masa e sigurisë në gjykatën e Tiranës dhe në vijim pritet t’i komunikohen edhe 2 masa të tjera, në Lushnjë dhe në Elbasan për ngjarjet ku ai është i përfshirë si autor.
Ngjarja për të cilën Tafani u shpall në kërkim ndodhi në qershor të këtij viti, ndërsa në pranga pas ngjarjes ra Enio Mecaj.