
Kryeministri Edi Rama ka hapur fushatën elektorale të Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit. Aktiviteti ka qenë thuajse identik me atë në Tiranë, ku nuk munguan akuzat ndaj Metës e Berishës dhe show me mbjelljen e pemëve.
“Potenciali i Durrësit është i jashtëzakonshëm, me investimet e reja masive që do bëjmë, Durrësit do ketë një transformim rrënjësor dhe do kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe. Kjo do të thotë se do rriten mundësitë për punë dhe jo vetëm kaq, do kenë punë më të mirëpaguara. Në Durrës janë dy porte kyçe, për të dyja këto porte jemi në proces. Me portin turistik ka filluar të vendoset baza e kantierit dhe do vijojnë intensivisht punimet.
Në Porto Romano kemi një përmasë ushtarake për të krijuar një baze operacionale të NATO-s në njërin krah të portit. Kur po vija po shikoja edhe bazën e hekurudhës. Me linjën e re hekurudhore dhe me trenat e rinj që do vijnë, një tjetër infrastrukturë e rëndësishme do t’i shtohet Durrësit”, tha Rama.
Ai akuzoi Metën dhe Berishën se duan të kthejnë hapa pas Durrësin. Po ashtu ka sulmuar dhe ofenduar Bardh Spahinë, kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Durrësin.
“Dua të mbyll duke u kërkuar të gjithëve të bëni një krahasim shumë të thjeshtë. Përfytyroni çfarë pafytyrësie duhet për të ardhur këtu dhe për të kërkuar votën e qytetarëve të Durrësit për ta kthyer Durrësin mbrapa , aq mbrapa sa të kthehet në një qytet ku vendosin dy hijet e së kaluarës me një kukull që kanë vendosu këtu. Nuk kam asgjë me kukullën e vendosur këtu, por Durrësit i duhet të vazhdojë përpara. Është e pamundur që Durrësit ta çojë nëpërmend se mund të kthejë drejtimin dhe të lërë rrugës gjithë këto gjëra të mëdha që janë nisur tanimë për t’u futur në një cep të errët. Është momenti që të fillojmë edhe këtu me mbjelljen e disa pemëve. Fushatat shkojnë e vijnë”, tha Rama.
Në fund, ai me kryebashkiaken dhe deputetë mbollën pemë, duke vijuar kështu më shown dhe talljen.