
Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) ka miratuar unanimisht kandidaturën e përbashkët të Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit për organizimin e Kampionatit Evropian U-16 për djem në vitin 2027.
Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Bordit të Administratës së CEV-it dhe është konfirmuar përmes një letre zyrtare të dërguar nga presidenti i këtij institucioni, Roko Sikiriq, drejtuar presidentëve të dy federatave përkatëse, Bahri Gjinovci dhe Erlind Pëllumbi.
Sipas vendimit të marrë, kampionati do të zhvillohet në verën e vitit 2027 në dy kryeqytetet, Prishtinë dhe Tiranë. Finalja e madhe e turneut është planifikuar të luhet në Prishtinë.
Në këtë kampionat pritet të marrin pjesë 16 përfaqësuese kombëtare nga e gjithë Evropa. Turneu synon të ofrojë një platformë konkurruese për talentet e reja të volejbollit evropian, duke u dhënë mundësi sportistëve të rinj të dëshmojnë potencialin e tyre dhe të hedhin hapat e parë drejt një karriere ndërkombëtare në këtë sport.

Lini një Përgjigje