Sport26 Maj 2023, 20:15

“S’jemi të pathyeshëm”, Haland befason para finales së Champions League: Do të bëjmë gjithçka për të realizuar ëndrrën tonë

Shkruar nga Pamfleti

“S’jemi të pathyeshëm”, Haland befason para finales

Erling Haland shpreson dhe beson te fitimi i Champions League, trofe që ai dhe Mançester Siti nuk e kanë fituar kurrë më parë. Skuadra angleze do të përballet me Interin në finalen e madhe të Stambollit më 10 qershor, përballje ku Siti niset si favorit.

Por, finalet janë finale dhe bomberi norvegjez e di mirë se zikaltërit e Simone Inzagit nuk duhen nënvlerësuar aspak.

Ne besojmë te fitimi i Champions League. Do të bëjmë gjithçka për të realizuar ëndrrën tonë. Ne nuk ndihemi të pathyeshëm, por skuadra ime është e mbushur me lojtarë të rëndësishëm. Pastaj është Pep Guardiola. Për mua është nder të stërvitem prej tij. Ai na i bën gjërat shumë të thjeshta dhe gjithmonë ia dalim të zhvillojmë një futboll të bukur”, u shpreh Haland.

22-vjeçari po shkëlqen në sezonin e parë në ishull. Haland kryeson renditjen e golashënuesve në Premier Ligë me 36 gola, teksa gjatë këtij edicioni ka realizuar plot 52 gola deri tani në të gjithë kompeticionet.

Përpara finales së Champions League, Mançester Siti do të luajë një tjetër finale. Atë ndaj Mançester Junajtid në FA Cup. Derbi do të zhvillohet më 3 qershor në “Wembley”.

erling haland sulmuesi norvegjez mançester siti finalja e champions league