
Përfaqësuesja e Marokut pritet të përballet me një ndryshim të madh në pankinë. Sipas mediave ndërkombëtare, trajneri Ualid Regragui ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me drejtuesit e Federatës Marokene të Futbollit dhe presionit të madh që pasoi humbjen në finalen e Kupës së Afrikës.
Situata mes palëve është përkeqësuar në javët e fundit, duke çuar në vendimin për të ndërprerë bashkëpunimin. Kjo ndodh në një moment delikat për përfaqësuesen marokene, vetëm tre muaj para nisjes së Kupës së Botës 2026, ku Maroku pritej të ishte një nga skuadrat protagoniste.
Regragui ishte arkitekti i suksesit historik të Marokut në Botërorin e fundit, ku skuadra u bë kombëtarja e parë afrikane që arriti në gjysmëfinale të turneut, duke shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit të kontinentit.
Sipas raportimeve, zyrtarizimi i largimit pritet të bëhet në ditët në vijim. Ndërkohë, drejtimin e ekipit përkohësisht do ta marrë Mohamed Ouahbi. Federata marokene ka nisur kërkimet për një trajner të ri me emër, me synimin për të përsëritur suksesin e vitit 2022 dhe për të ndërtuar një projekt afatgjatë në prag të Botërorit 2030, ku Maroku do të jetë një nga vendet organizatore.
Lini një Përgjigje