
Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Nathi Mthethëa është gjetur i vdekur, pasi dyshohet se ka rënë nga kati i 22-të i një hoteli luksoz në Paris.
Autoritetet franceze kanë nisur hetimet, ndërsa prokurorët konfirmuan se trupi i diplomatit u gjet të martën në mesditë, pranë hotelit ku ishte akomoduar.
Mediat lokale raportojnë, gruaja e Mthethëas kishte kontaktuar policinë pasi kishte marrë një “mesazh shqetësues” prej tij të hënën mbrëma.
Kjo çoi në nisjen e një operacioni kërkimi, gjatë të cilit u përdorën edhe njësi me qen për të kontrolluar zonën pranë Bois de Boulogne, një pyll i madh në perëndim të Parisit.
Telefoni i ambasadorit ishte gjurmuar për herë të fundit në këtë zonë rreth orës 15:00 të së hënës. Megjithatë, trupi i tij u gjet vetëm një ditë më vonë, në tarracën e hotelit Hyatt, ku raportohet se dritarja e dhomës së tij ishte hapur me forcë, sipas gazetës franceze Le Parisien.
Prokuroria franceze nuk e ka përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes, por njofton se hetimet janë ende në vazhdim. Një magjistrat hetues ka vizituar vendin e ngjarjes, ndërsa pritet edhe një raport mjeko-ligjor.
Ambasadori ishte një figurë e njohur në skenën politike të Afrikës së Jugut. Ai nisi aktivitetin e tij si aktivist dhe më vonë u angazhua në politikë, ku ka shërbyer si Sekretar organizativ i Lidhjes së Rinisë së ANC-së, Kryetar i Komitetit Parlamentar për Minierat dhe Energjinë, Ministër i Policisë gjatë presidencës së Kgalema Motlanthe dhe Jacob Zuma, Ministër i Arteve dhe Kulturës, dhe më pas edhe i Sportit, Arteve dhe Kulturës deri në vitin 2023.
Në fillim të vitit 2024, ai u emërua ambasador në Francë dhe njëkohësisht përfaqësues i përhershëm i Afrikës së Jugut pranë UNESCO-s.
Lini një Përgjigje