TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Mars 2026, 15:18

Play off i Botërorit në prag, Silvinjo dhe stafi i tij vëzhgojnë futbollistët shqiptarë që luajnë në Turqi

Shkruar nga Pamfleti

Play off i Botërorit në prag, Silvinjo dhe stafi i tij

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, së bashku me ndihmësit e tij Doriva dhe Ervin Bulku, kanë zhvilluar gjatë kësaj jave një vizitë në Turqi për të ndjekur nga afër paraqitjet e futbollistëve kuqezi me klubet e tyre.

Stafi teknik i Shqipërisë ishte fillimisht i pranishëm në stadium për ndeshjen e Kupës së Turqisë mes Istanbul Bashakshehir dhe Trabzonspor. Në këtë përballje, trajnerët e Kombëtares ndoqën nga afër sulmuesin Ernest Muçi, i cili u aktivizua si titullar dhe qendroi në fushë 90 minuta.

Një ditë më pas, Silvinjo dhe bashkëpunëtorët e tij ndoqën gjithashtu nga stadiumi edhe ndeshjen tjetër të Kupës së Turqisë mes Beshiktashit dhe Çajkur Rizespor.

Në këtë sfidë u aktivizua mesfushori Kristjan Asllani, i cili u fut në lojë si zëvendësues në minutën e 78-të për Beshiktashin. Ndërkohë, në radhët e Çajkur Rizespor është edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Qazim Laçi, i cili në këtë takim nuk u aktivizua dhe qendroi në stol.

Vizita e stafit teknik në Turqi është pjesë e procesit të vazhdueshëm të monitorimit të futbollistëve të Kombëtares shqiptare. Këto ndjekje nga afër bëhen në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e rëndësishme të “play-off”-it të Botërorit ndaj Polonisë.

Përmes këtyre vizitave, stafi i Kombëtares synon të mbajë kontakte të drejtpërdrejta me lojtarët dhe të vlerësojë formën e tyre me klubet respektive, në prag të sfidave të rëndësishme ndërkombëtare.

silvinjo trajneri i kombëtares

Lini një Përgjigje